Qendra
Kombetare e Muzeumeve Berat - Edukimi
RIGJALLËRIMI
I PRODHIMIT ARTIZANAL NË QYTETIN E BERATIT
Kastriot
Dervishi
Lajmëtari i Beratit
19 dhjetor 2005, nr. 120 faqe 9
Qyteti i Beratit, është i njohur si
një nga qytetet kryesore të kulturës dhe traditës
të Shqipërisë. Duke pasur këtë trashgimi
kulturore krijon kushte të favorshme edhe për zhvillimin
e turizmit kulturor. Por ajo që ne kërkojmë ta
rigjallërojmë sot, është infrastruktura
në shërbim të këtij turizmi dhe pikërisht
resurset kulturore, ku bëjnë pjesë edhe prodhimet
artizanale, të cilat kanë qënë pjesë
substanciale e jetës së përditshme, dhe e mënyrës
së jetesës, ka qënë veprimtaria themelore
jetësore e shumë brezave në shumë shekuj.
Gjithmonë është folur, çdo ditë flitet,
në çdo bisedë të thjeshtë, në
çdo takim të organizuar për turizmin, për
traditën në shërbim të tij. Për turizmin
familjar që ka qënë shprehja më e përdorshme
në rrethet e interesuara, dhe herë herë është
bërë e besdisshme. Eshtë përdorur rëndom,
se Beratit do ti vijë shpëtimi nga turizmi, se do
të vijnë turistët në Berat, se ne kemi qytet
të vjetër, dhe në hyrje të qytetit të
vihet një portë, ku kushdo që hyn të paguajë,
dhe ne do të bëhemi të pasur, se të parët
tanë na e kanë lënë këtë pasuri.
Kjo mënyrë të menduari ka qënë totalisht
e dështuar, dhe e ka çuar drejt rrënimit qytetin
tonë.
E vërteta është se Berati, është qytet
me vlera të garantuara, vlera që po e çojnë
drejt shpalljes pasuri botërore. Kjo situatë ka sjellë
edhe vlerësimin shumë të madh të MTKRS,
e cila për herë të parë ka shpalosur strategjinë
e saj për zhvillimin e turizmit kulturor, dhe Berati si
një qëndër shumë e rëndësishme
e këtij turizmi. Por turizmi kulturor kërkon infrastrukturën
e tij, dhe një pjesë e kësaj infrastrukture janë
edhe prodhimet artizanale. Këto lloj prodhimesh, të
realizuara në gur, dru, metal, qëndistari, qeramika
etj, që trashegojmë nga e kaluara kanë nivel
shumë të lartë, ndërsa ato që po shohim
në tregun e sotëm, në ndërtimet e reja,
(pasi dihet se guri, druri, qeramika zënë një
vend shumë të madh) janë të një niveli
shumë të ulët nga pikpamja e vlerave. Tradita
ka marrë fund, vlen të përmëndim një
fakt të thjeshtë, dhe pikërisht punimet e gurit.
Përditë shikojmë maune të ngarkuara me gur
në autokolonë që shkojnë drejt perëndimit
a lindjes, dhe po përditë trotuaret dhe ndërtimet
tona i pushton betoni, dhe fasadat i shikon te veshura me pllaka
majolike, tavanet i ka pushtuar kartonxhesi etj. Do të
pyes dikush çlidhje kanë këto shembuj me artizanatin.
Po, lidhja është shumë e madhe, ndërtesat
tona të traditës nga mjeshtrat e gurit, drurit dhe
të hekurit janë realizuar. Tavanet e mrekullueshëm
të drurit, harqet e gurit, kangjellat me rrafje të
hekurta janë ato që duhet të përjashtojnë
hap pas hapi ndërhyrjet brutale gjoja në emër
të modernizimit.
Por si do rigjallërohen konkretisht këto zanate të
vjetër dhe të vyer?
Si do të bëhet e mundur që këto profesione
të kenë kualifikimin e duhur?
Si do të vihen në shërbim të turizmit?
Pak a shumë artizanët në mënyrë sporadike,
kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë
e vazhdimit të traditës, dhe konkretisht në Berat
ka filluar në një fare mënyre të lëvrohen
disa nga këto zanate. Por ajo që është kryesoria
janë të paktë ata që duhet tua trashegojnë,
dhe pikërisht mjeshtrit e vjetër.
Unë sot dua ti bëj me dije auditorit disa projekte,
për rigjallërimin e prodhimit artizanal në qytetin
e Beratit. I pari tashmë ka marrë rrugë në
bashkëpunim me Rajonin e Puljas Itali, në kuadrin
e projektit IMAZHE TIPIKE TE TRADITES ARTIZANALE, ITERREG 3A
me Unionin e Komunave, Diso, Spongano, Andano. Dhe pikërisht
ata do të financojnë për ngritjen e kurseve të
përbashkëta të artizanatit dhe konkretisht në
gdhëndjen e gurit, drurit, qeramikës, qëndistarisë
etj. Në fillimet e tij është edhe një program
tjetër, në bashkëpunim me Univer-sitetin e Leçes
Itali pikërisht për ruajtjen e traditës së
artizanatit.
Berati ka një shkollë të mesme artistike, e cila
funksionon si njëherë e një kohë, ç’dua
të them me këtë? Vazhdon me të njëjtin
ritëm si në kohën e diktaturës. Nxënësit
vazhdojnë të bëjnë në orën e mësimit
lëndën e tekstilit, edhe pse kombinati ka pushuar
që prej 15 vjetësh. Ata shkojnë në shkollë
për të bërë shkollën dhe jo për
të mësuar diçka që t’i shërbejë
atyre për jetën dhe rrjedhimisht komunitetit. Pra
edhe pse është një shkollë arti, jo të
gjithë dalin artistë të mirfilltë, pjesa
më e madhe e tyre përfundojnë të papunë,
ose koha ka vërtetuar që largohen nga Shqipëria.
Unë propozoj që në shkollën e mesme artistike
të Beratit të vendosen specialitetet e gurit, drurit,
qeramikës,afreskut, rrafjes në hekur, ikonografisë
që të marrë kuptim si shkollë dhe të
ruhet tradita, dhe rrjedhimisht të rigjallërohet artizanati.
Vetëm kur ka një shkollë ka një traditë.
Ngritja e një pazari artizanësh.
Kjo ka qënë një kërkesë e përhershme
në qytetin e Beratit. Kruja e ngriti dhe janë të
njohura rezultatet. Ka ardhur koha dhe është mëse
e domosdoshme ngritja e një pazari. Idetë për
vendin se ku mund të ngrihet janë nga më të
ndryshmet. Rëndesi ka që të pranohet si koncept,
të gjitha të tjerat janë proçese teknike
dhe i zgjidhin specialistët. Një pazar i organizuar
mirë do ti shërbente në mënyrë perfekte
zhvillimit të turizmit kulturor dhe drejtëpërdrejt
rigjallërimit të artizanatit dhe tregut të punës.
|